Shqipëria e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe BE për shpenzimet në arsim dhe shëndetësi
Shqipëria shpenzon më pak për arsim dhe shëndetësi se vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian, sipas një raporti të Bankës Botërore.
Një analizë e fundit mbi financat publike e Bankës Botërore tregon se shpenzimet publike në Shqipëri mbeten ndër më të ulëtat në rajon dhe nuk kanë pësuar ndryshime të mëdha gjatë dekadës së fundit.
Sipas raportit për financat publike 2025, në periudhën 2014–2024 shpenzimet mesatare publike në vend arritën në rreth 30.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një nivel më i ulët se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Europian.
Pensionet zënë pjesën më të madhe të buxhetit
Raporti tregon se transfertat sociale përbëjnë kategorinë më të madhe të shpenzimeve publike, duke zënë rreth një të tretën e buxhetit dhe mbi 11 për qind të PBB-së gjatë dekadës së fundit.
Brenda kësaj kategorie dominojnë pensionet, të cilat përthithin rreth një të katërtën e buxhetit total dhe tejkalojnë fondin e pagave në sektorin publik dhe format e tjera të ndihmës sociale.
Shpenzimet kapitale përbëjnë zërin e dytë më të madh të buxhetit, me rreth 20 për qind të totalit, një nivel disi më i lartë se në vendet e tjera të rajonit.
Investime më të ulëta në kapitalin njerëzor
Sipas raportit, Shqipëria shpenzon dukshëm më pak për kapitalin njerëzor krahasuar me vendet e tjera. Shpenzimet për arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale së bashku përbëjnë pak më shumë se 50 për qind të buxhetit.
Në krahasim, kjo peshë arrin në rreth 56 për qind në vendet e Ballkanit Perëndimor, 64 për qind në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe 71 për qind në Bashkimin Europian.
Shpenzimet për mbrojtjen sociale në Shqipëri përbëjnë rreth 9.5 për qind të PBB-së, ndërsa në vendet e rajonit arrijnë mesatarisht në 11.4 për qind, në Evropën Qendrore dhe Lindore 14.5 për qind dhe në BE rreth 16.7 për qind.
Ndërkohë, shpenzimet për arsim dhe shëndetësi mbeten relativisht të ulëta dhe kanë ndryshuar pak gjatë viteve të fundit, me pjesën më të madhe të buxhetit të arsimit të përqendruar në arsimin fillor.
Më shumë fonde për infrastrukturën
Raporti thekson se Shqipëria shpenzon relativisht më shumë për infrastrukturën e transportit dhe projektet energjetike. Shpenzimet për transport përbëjnë rreth 7.5 për qind të buxhetit total, ndërsa pjesa më e madhe e këtyre fondeve shkon për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.
Sektori publik në vend mbetet gjithashtu relativisht i vogël, me nivel më të ulët punësimi dhe shpenzimesh për paga krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Sipas raportit, struktura e shpenzimeve publike ka mbetur kryesisht e pandryshuar ndër vite për shkak të ngurtësisë së lartë buxhetore, që lidhet me pagesat për paga, pensione, shërbime bazë dhe interesat e borxhit publik.